Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

PDK bllokon hyrjen e Qeverisë, Çitaku: Nuk do ta lejojmë Kurtin ta rrënojë Kosovën

Gazeta10
13 August 2026 - 8:32

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë bllokuar hyrjen e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se aksioni i tyre nuk do të përfundojë me bllokimin e hyrjes së Qeverisë. Ajo paralajmëroi se deputetët do të vazhdojnë në Kuvend dhe do ta përsërisin kërkesën për thirrjen e seancës.

“Nuk do të ndalemi. Nga këtu do të kalojmë në Kuvend, do ta përsërisim kërkesën për thirrjen e seancës. Këto janë institucione të qytetarëve dhe do t’u shërbejnë qytetarëve”, tha Çitaku.

Ajo theksoi se funksionet politike dhe institucionale janë të përkohshme, ndërsa shteti i Kosovës është mbi çdo individ apo subjekt politik.

“Të gjithë deputetët, secili ministër e secili zyrtar janë të përkohshëm. E përjetshme është vetëm Republika e Kosovës”, deklaroi ajo.

Çitaku më tej u shpreh e ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se PDK-ja nuk do të lejojë që, sipas saj, ai ta dëmtojë shtetin.

“Nuk do ta lejojmë Albin Kurtin ta rrënojë Kosovën”, tha Çitaku.

PDK ka akuzuar Kurtin për mosrespektim të rregullave dhe normave kushtetuese dhe ka kërkuar që Kuvendi të konstituohet pa vonesa. Çitaku ka deklaruar më herët se partia e saj nuk do të bëhet pjesë e asaj që e ka cilësuar si “përmbysje të rendit kushtetues”./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.