Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

PDK e Aleanca me aksionin para Qeverisë: Kosova është vendosur në duart e vetëm një njeriu

Gazeta10
02 September 2026 - 9:51

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar edhe sot aksionin para Qeverisë së Kosovës, së bashku me deputetë të Aleancës. Në aksion janë bashkuar edhe asamblistë dhe aktivistë nga Komuna e Drenasit.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të jetë arsyetim për mosvazhdimin e seancës konstituive.

Ajo i bëri thirrje Kurtit të kthehet në Kuvend dhe t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja.

“Ju e keni parë dhe jeni dëshmitarë të deklarimeve të kryesuesit të seancës plenare, zotëri Dehari, i cili kur diskutonte për thirrjen e seancës, kërkonte që të ketë një marrëveshje politike. Mbrëmë qartë e e pamë të gjithë: nuk ka marrëveshje politike dhe Albin Kurti nuk po e thërret seancën. Prandaj, edhe sot e përsërisim thirrjen tonë, që e bëjmë tash e sa kohë. Albin Kurti duhet ta ftojë seancën, të kthehet në Kuvend, t’i hapërrugë krijimit të institucioneve të reja… Dje kemi parë një protestë në sheshin e qytetit, ku komunat e Kosovës, qytetarët nga të gjitha komunat kanë protestuar për shkak të diskriminimit dhe qasjes joserioze që po e bën Albin Kurti dhe përfaqësuesit e partisë së tij” tha ajo.

Nga Aleanca, Burim Ramadani tha se aksioni do të vazhdojë si rezistencë ndaj asaj që ai e konsideron shkelje të Kushtetutës dhe ligjshmërisë.

Sipas tij, zgjedhjet nuk janë opsioni më i keq, ndërsa problem e konsideron përqendrimin e pushtetit në duart e një personi.

“Ne së bashku, edhe me qytetarët, edhe Aleanca, me Partinë Demokratike dhe me çdo qytetar të Kosovës, do të qëndrojmë e rezistojmë ndaj njerëzve që e rrezikojnë demokracinë. Nuk është opsioni më i keq në botë nëse ka zgjedhje. Opsioni më i keq në botë për ne, për Kosovën, është nëse një njeri, sikurse është Kurti, është edhe Kryeministër, edhe President, edhe Parlament, edhe çdo gjë. Pra, jemi në një fazë në të cilën Kosova tashmë është vendosur totalisht në duart e vetëm një njeriu dhe ne nuk e pranojmë këtë, nuk do ta pranojmë dhe për këtë besoj që qytetarët do t’ia japin përgjigjen e merituar”, tha ai.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.