
Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar mocion procedural për ndryshimin e rendit të ditës së seancës së sotme parlamentare, duke kërkuar futjen në rend dite të miratimit të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, tha se ka kërkuar që ligji të kthehet sërish në Kuvend sepse i janë dhënë “disa këshilla dhe rekomandime të cilat ne besojmë se ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm, edhe më të qëndrueshëm juridikisht”.
“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës propozoj mocionin procedural për ndryshimin e rendit të ditës, për të përfshirë edhe ligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, tha ajo.
Çitaku tha se këtë vendim e kanë marrë me vetëdijen se do t’u kushtojë politikisht.
“Për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi”, tha ajo.
Çitaku tha se mocioni dhe ligji duhet të miratohen sot.
“Menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit”, tha ajo.