
Ministri i Bujqëisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka kritikuar menaxhimin e pronave në qeverisjet e kaluara dhe ka premtuar angazhim në këtë drejtim, raporton Gazeta10.
Peci ka thënë se të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor janë skandaloze.
Ai ka thënë se nuk ka pasur vetëm skandale me grante dhe subvencione por edhe me menaxhimin e pronave.
Tutje, Peci ka thënë se është e papranueshme keqmenaxhimi i pronave duke përmendur specifikisht edhe disa nga to.
Peci ka thënë se javëve në vijim do të merren veprime ligjor lidhur me të gjitha këto parregullësit.
Këtu keni statusin e plotë:
“Të nderuar qytetarë,
Para disa muajsh kam kërkuar themelimin e një Komisioni që adreson vërejtjet e vazhdueshme gati një dekadëshe të Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori.
Fatkeqësisht nuk është abuzuar vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe granteve. Skandalet dhe abuzimet më të mëdha na dalin të jenë tek menaxhimi i pronave.
Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi:
Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje!
Uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë.
Tejkalim në objekte banimi dhe lokale afariste.
Operatorët ekonomikë / palë të treta në këtë lëmsh të krijuar, paguajnë qira për objektet e tyre afariste mirëpo jo titullarit faktit të pronës.
Rasti tjetër tejet abuziv e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilave, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.
Ditëve në vijim do të marrim të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë, kthimin e këtyre aseteve dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës.
Në gjithë këtë katrahurë është i pashpjegueshëm mos-veprimi në radhë të parë i Ministrisë së Bujqësisë për një dekadë, mungesa e vullnetit të Ministrave të kaluar për ta çuar më tutje këtë cështje, inspektorëve të ndërtimit në nivel të komunave në këtë rast në komunën e Prishtinës dhe Pejës të cilët nuk kanë marrë parasysh as elementet bazike siç janë:
E drejta pronësore dhe juridike
Mënyra se si janë pajisur me leje ndërtimi, renovimi, anekse të ndërtimit (nëse i posedojnë) pa aprovimin e titullarit të pronës?
Si është mundësuar ndërtimi i vrazhdë, ndërtimi i anekseve pa aprovimin dhe posedimin e çertifikatës së pronësisë, kopjes së planit të projektit që duhet dorëzuar në drejtoritë e urbanizmit nga titullari i pronës?
Ku ishte inspektorati i ndërtimit i komunës së Prishtinës që edhe sot që po e shkruaj këtë postim/denoncim, në bazë të informacioneve po vazhdojnë punimet e kundërligjshme në pronën e Ministrisë së Bujqësisë?
Kush mund të lëshojë me qera pronën e Ministrisë së Bujqësisë pa aprovimin e titullarit të pronës?
Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative.
Të dashur qytetarë, çdo mëngjes e rikthej në mbamendje mbi çfarë zotimesh kam marrë numër të madh të votave të besimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Andaj, me guximin më të madh do të jem në shërbimin tuaj dhe në shërbim të vendit deri në ditën e fundit të mandatit dhe deri në frymen e fundit të jetës sime, për faktin e thjeshtë, sepse, unë e dua Kosovën”, ka shkruar Peci në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10