
Ka përfunduar sot xhiro e fundit në Superligë për këtë edicion.
Gjatë ditës së sotme janë luajtur të 5 ndeshjet në të njejtin orar.
Ballkani, i cili tashmë dihet si kampion i ligës, barazoi pa gola me Gjilanin në Therandë, gjersa Drita fitoi në transfertë te Drenica me rezultat 3-1.
Malisheva shënoi fitore ndaj Llapit 3-1, për të zënë pozitën e 6-të në tabelë këtë sezon.
Mirëpo, dramë e vërtetë u përjetua në dy ndeshjet kryesore të kësaj dite. Ndeshjet në Mitrovicë dhe në Ferizaj dhuruan emocione të pafunda.
Ndonëse fitoi me rikthim ndaj Prishtinës, Trepça ’89 edhe zyrtarisht është përshëndetur me Superligën, kështu nga sezoni i ardhshëm garon në Ligën e Parë.
Në anën tjetër, Ferizaj me fitoren në minutat e fundit ndaj Dukagjinit, siguroi pozitën e 8-të në tabelë, pozitë që të dërgon në barazh, aty ku e pret Liria e Prizrenit.
Ndërkohë, Dukagjini edhe pse humbi, mbeti në pozitën e katërt, kësisoji me shumë mundësi do të luajë në kualifikime për Ligën e Konferencës.