
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Është përkujtuar masakra më e madhe në Kosovë, ajo e Mejës së Gjakovës ku mbetën të vrarë 377 persona. Krerët e shtetit, derisa kanë bërë homazhe te kompleksi memorial, kanë thënë se Serbia vrau njerëz veç pse ishin shqiptarë. Ata kanë kërkuar drejtësi vendore e ndërkombëtare.
Në këtë vend pushojnë eshtrat e 377 personave të vrarë e të masakruar nga forcat serbe.
Pas 24 vjetësh, dhimbja e familjarëve është e njëjtë për të afërmit e humbur.
Në përvjetorin e masakrës së Mejës në Gjakovë, ata prisnin krerët e shtetit për ngushëllim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se regjimi gjenocidal i Millosheviqit vrau njerëz veç pse ishin shqiptarë.
Kurti ka thënë se qeveria po bënë përpjekje për të sjellë drejtësi për viktimat e luftës e të zhdukurve me dhunë.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë thirrje për drejtësi, meqë sipas tij, dëshmitarët ende janë gjallë.
Homazhe kanë bërë edhe kryetarët e partive opozitare, të cilët kanë thënë se pa u zbardhur fati i të zhdukurve të fundit, nuk mund të ketë drejtësi.
Masakra e Mejës konsiderohet si një ndër krimet më të mëdha të forcave serbe gjatë luftë në Kosovë.
Për shkak se për disa ende nuk dihet fati i tyre, shumë vende në këto varreza kanë mbetur të zbrazëta.