
Raporti: Kanal10
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli për më shumë se tri orë ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për raportin vjetor të performancës së ndërmarrjeve publike. Ajo ka thënë se disa prej tyre vazhdojnë të operojnë me humbje. Por, raportimi i saj është përcjellë me kritika e akuza për politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike.
Punësimet e militantëve dhe emërimet në ndërmarrjet publike kanë shkaktuar përplasje ndërmjet deputetëve opozitarë dhe partisë në pushtet.
Gjatë raportimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në komisionin për ekonomi, nga opozita është kritikuar praktika e emërimeve nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.
Megjithëse, me një konstatim të tillë nuk është pajtuar ministrja Rizvanolli, së cilës i kanë dal në mbrojtje edhe deputetë të partisë në pushtet.
Nga opozita kanë thënë se pasojat e ndërhyrjeve politike në bordet e ndërmarrjeve publike janë të mëdha dhe se kjo po i pengon ato të rrisin performancën dhe kapacitetet.
E këtyre akuzave për politizim të bordeve, ministrja Rizvanolli, u është përgjigjur duke thënë se në asnjë rast tek ata nuk kanë qenë kandidat apo udhëheqës të strukturave në tri vitet fundit.
Ndryshe, gjatë raportimit të saj për më shumë se tri orë, ministrja Rizvanolli ka thënë se në dy vitet e fundit është përmirësuar gjendja financiare e shumë ndërmarrjeve publike, që sipas saj, kishin qenë në situatë të rëndë.
Por, ajo ka thënë se disa ndërmarrje ende vazhdojnë të operojnë me humbje, siç janë Telekomi, Posta, Infrakos e Trainkos.