Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Përplasje në protestën para Kuvendit të Shqipërisë, 10 policë të lënduar

Gazeta10
02 July 2026 - 17:45

Dhjetë policë u lënduan gjatë përplasjeve me protestuesit e mbledhur para Kuvendit të Shqipërisë, paraditen e së enjtes.

Policia nuk ka publikuar të dhëna për protestues të lënduar, por tha se 23 persona janë shoqëruar.

Tubimi i dhjetëra qytetarëve para Kuvendit u mbajt në vijim të protestës që po zhvillohet prej më shumë se një muaji në Tiranë.

Para çdo seance plenare, një pjesë e protestuesve që zakonisht tubohen në mbrëmje para Kryeministrisë, mblidhen edhe para Kuvendit duke ju kërkuar deputetëve të shumicës dhe opozitës të dorëzojnë mandatet.

Protestat në Shqipëri, që po quhen “Revolucioni i Flamingove”, nisën fillimisht si kundërshtim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës. Por, më pas kërkesat u zgjeruan, duke përfshirë edhe pakënaqësi të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, zhvillimit urban, menaxhimin e territorit dhe çështje të tjera sociale dhe politike. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Rama dhe shpërndarjen e Kuvendit.

Protestuesit qëlluan me vezë dhe hodhën miell drejt deputetëve të Kuvendit shqiptar. Disa prej tyre hoqën me gardhin metalik, që Policia kishte vendosur përreth ndërtesës së Kuvendit dhe qëlluan me gurë ndaj forcave policore. Policia, ndërkaq, përdori sprej piperi dhe hodhi ujë ndaj protestuesve.

Më pas protestuesit u ulën para hyrjes kryesore të Kuvendit për të mos lejuar daljen e deputetëve. Policia ndërhyri duke shoqëruar në komisariate disa prej tyre.

Aktivistët, pjesëmarrës në protestë thanë se ndaj disa protestuesve është ushtruar dhunë nga policia gjatë ndalimit të tyre. Ndërkaq, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë deklaroi se ka pranuar raportime të shumta nga gazetarë, operatorë dhe fotografë se ata “janë sulmuar dhunshëm nga ana e Policisë së Shtetit”.

Reagimet nga politikanët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë reagoi në rrjetin social X, duke thënë se “protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”.

Ndërkaq në një takim me pensionistë, ai i ndau protestuesit në qytetarë që dalin në tubime për shqetësime reale dhe ata që dalin për qëllime të caktuara.

“Protesta nuk është ajo kur vijnë mercenarë nga Prishtina dhe Tetova, që bëjnë si diasporë. Askush nga ne nuk është populli. Populli është ai që flet kur vijnë zgjedhjet”, theksoi Rama.

Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, nuk është patriotizëm të largosh investimet e huaja nga vendi.

“Vjen një investim 4 miliardësh [v.j. referencë për projektin në Zvërnec] në një ekonomi 27 miliardësh. Është diçka masive, transformuese. [Investimet e Huaja] kanë edhe një impakt tjetër. Hapin rrugën për të tjerët. Nëse i vë shkelmin në fyt të parit, atëherë ke përzënë të tjerët dhe i ke falur konkurrencës atë që mezi është bërë e mundur të të vijë ty. Këto janë çudira shqiptare”, tha Rama.

Qysh në nisje të protestave, Rama, ka hedhur dyshime se pas tyre fshihen edhe interesa dhe ndikime të lidhura me Iranin.

Por, më 2 korrik, për herë të parë një përfaqësues i lartë i Partisë Socialiste në pushtet përmendi edhe Rusinë si nxitëse të protestave.

“Pas protestave nuk është vetëm Irani, por edhe vendet fqinje, por edhe Kremlini”, tha për gazetarët kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.

Duke folur për aktet e dhunshme para Kuvendit, Balla tha se në protestë ka persona të paguar për të shkaktuar trazira.

“Dritan Goxhaj është person që paguhet nga Irani. Kemi prova. Ai publikisht sulmon Shtetet e Bashkuara për hesap të Iranit kjo është një provë që duhet administruar urgjentisht. Të dalësh e të thuash se këtu duhen vrarë udhëheqësit politikë me plumb ballit, më vjen keq që prokuroria nuk vepron”, tha Balla duke iu referuar deklaratave të Goxhajt në daljet e tij mediatike.

Rama më herët e kishte cilësuar Goxhajn – i cili ka lexuar kërkesat e protestuesve në shesh – si “zëdhënës të interesave të Iranit”. Kreu i ekzekutivit shqiptar po ashtu ka akuzuar edhe Ikballe Hudutin – predikuesen fetare nga Kosova që njihet për qëndrime pro Iranit dhe kundër Shteteve të Bashkuara –për lidhje me regjimin iranian.

Për përplasjet ka reaguar edhe Partia Demokratike në opozitë. Kjo parti e dënoi dhunën, që sipas saj, e ushtroi policia ushtroi ndaj protestuesve dhe kërkoi lirimin e të ndaluarve.

Opozita bojkotoi seancën e së enjtes duke deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e asnjë diskutimi nëse nuk futet në rend dite diskutimi për shfuqizimin dhe ndryshimin e katër ligjeve, kërkuar nga protestuesit: ligji për zonat e mbrojtura, investimet strategjike, paketa e maleve dhe disa nene të ligjit për trashëgiminë kulturore. REL

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.