
Policia mbërriti në vendngjarje rreth orës 1:28 të mëngjesit sipas kohës lokale. Të pesë të plagosurit pësuan plagë nga armë zjarri dhe u transportuan në spitalet lokale. Universiteti raportoi se plagët e katër të plagosurve nuk ishin kërcënuese për jetën.
Nuk pati raportime të menjëhershme për arrestime. Një bllokim i përkohshëm i kampusit është hequr, por një prani e madhe policore mbetet në vendngjarje, tha universiteti. Në deklaratë thuhej se Policia e Qarkut Chesterfield po udhëheq hetimin, e ndihmuar nga agjenci të tjera lokale dhe policia universitare.
Universiteti Shtetëror i Virxhinias (VSU), i vendosur rreth tridhjetë kilometra në jug të Richmondit, kryeqytetit të Virxhinias, ka rreth 5,000 studentë. Është një nga universitetet historikisht afrikano-amerikane në Shtetet e Bashkuara.
Institucione të tilla u themeluan për t’u ofruar arsim të lartë afrikano-amerikanëve, të cilëve historikisht u ishte mohuar qasja në shumicën e kolegjeve. Të shtënat ndodhën pak para fillimit të semestrit të ri. Mësimet duhej të fillonin të hënën dhe studentët filluan të ktheheshin në konviktet e tyre këtë të premte.