
Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10
Ardhja e pesëshes ndërkombëtare të premten në Kosovë, pritet të dinamizojë edhe më shumë procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë. Nga Qeveria e Kosovës thonë se gjatë takimit do të diskutohet për hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, derisa njohës të këtij procesi presin që gjatë kësaj vizite palëve t’u caktohen afate kohore për të implementuar kërkesat e BE-së.
Një delegacion prej pesë zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë do të vizitojnë të premten Kosovën, për të çuar përpara procesin e dialogut me Serbinë.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se gjatë vizitës se pesëshes ndërkombëtare do të diskutohet për hapat e ardhshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Ndërsa, njohës të këtij procesi thonë se presioni ndaj dy palëve do të rritet si asnjëherë më parë, derisa qeverisë përsëri do t’i kërkohet themelimi i Asociacionit.
“Kryeministri Kurti, nesër paradite, pret në zyrën e tij emisarin Lajcak dhe Escobar së bashku me këshilltarët e Kancelarit gjerman, Presidentit francez dhe Kryeministres italiane, Plötner, Bonne dhe Talò. Do të diskutohet për procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Për detajet tjera, do të ketë njoftim zyrtar gjatë ditës”, tha Përparim Kryeziu – Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Profesori i marrëdhënieve ndërkonmbëtare, Jeton Kelmendi ka thënë se në takimet e kësaj jave me Kurtin e Vuçiq mund të caktohen edhe afate kohore kur palët duhet të implementojnë kërkesat e Bashkimit Evropian.
Ndërsa edhe analisti Shqiprim Pula tha se presioni ndaj qeverisë për themelimin e Asociacionit vetëm se do të rritet dhe se procesi i dialogut do të dinamizohet.
Para vizitës së pesëshes ndërkombëtare në Kosovë, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak ka takuar në Zvicër, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë takimeve është diskutuar në lidhje me hapat e ardhshëm në dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve.