Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Pesëshja ndërkombëtare, të premten në Prishtinë

Gazeta10
18 January 2023 - 18:48

Raporti: Saranda Aliu / Kanal10

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Laiçak në Forumin Botëror Ekonomik, në Zvicër. Ky i fundit tha se me Kurtin pati diskutime të thella lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Nga BE-ja, kanë njoftuar se bashkë me Laiçakun, këtë të premte, Kosovën do ta vizitojë edhe emisari i SHBA-ve, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarë të tjerë nga Franca, Gjermania dhe Italia.

Një pesëshe e rëndësishme e zyrtarëve ndërkombëtarë, të premten, do të zbarkojë në Prishtinë.

Ata do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo pesëshe e zyrtarëve dhe emisarëve do të përbëhet nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Gjermanisë, Francës dhe të Italisë.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, ka thënë se diskutimet në Prishtinë dhe në Beograd do të vazhdojnë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti e në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, ku do të diskutohen hapat e ardhshëm në normalizimin të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në këtë vizitë emisari Lajçak do të përcillet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, si dhe nga zv. sekretari amerikan, Gabriel Escobar”, deklaroi Peter Stano- Zëdhënës i BE-së.

Por, para vizitës në Prishtinë, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak ka takuar në Zvicër, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik që po mbahet në Davos.

“E fillova ditën time në Davos në Forumin Botëror Ekonomik 2023, me një diskutim të thellë me Kryeministrin Albin Kurti. Folëm për hapat e ardhshëm në Dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet e ngutshme aktuale.”, tha Miroslav Laiçak – I dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, ka shkruar Lajçak.

Për takimin me Lajçak dhe temat e diskutuara kanë treguar edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Diskutuan për procesin e dialogut, hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.”, tha Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë vlerësuar pozitive dinamikën e re të procesit të dialogut, duke thënë se të premten, çështja e Asociacionit, do të jetë tema kryesore.  

Para pak ditësh në Prishtinë dhe në Beograd ka qëndruar për vizitë këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si dhe i dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. 

Fillimi i këtij viti është paralajmëruar të sjell shumë takime ndërmjet palëve, për të përafruar qëndrimet rreth një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.