
Drejtori i të ashtuquajturës, Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se ai dhe zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk kanë arritur asnjë marrëveshje mbrëmë, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se lajmi që është publikuar gjoja se është arritur një marrëveshje për shtyerjen e afatit për 10 muaj në lidhje me konvertimin e targave është absolutisht i rremë.
Më tej ai ka përmendur edhe temat e tjera ku nuk është arritur asnjë marrëveshje, duke përmendur planin franko-gjerman si dhe diskutimin e Asociacionit në kuadër të këtij plani.
“Dëshiroj të mohoj me forcë publikimin e një lajmi absolutisht të rremë që është shfaqur jo vetëm në portalin e shërbimit publik të Serbisë, por edhe në emisionin e tyre kyç lajmesh, në të përditshmen e mëngjesit, ku thuhej se mbrëmë vonë unë dhe Bislimi u pajtua për një zgjatje 10-mujore të vlefshmërisë së targave ekzistuese KM dhe që më pas të kalojë në targa RKS, si dhe që ASK të diskutohet në kuadër të propozimit franko-gjerman”, ka thënë ai, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta10. / Gazeta10