
Raporti: Fjolla Xheladini / Kanal10
Ndërkohë, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se ARBK-ja ka marrë vendim për pezullimin e certifikatave të biznesit edhe ndaj 5 bizneseve të tjera. Sipas ministres Hajdari, bizneset të cilat kanë veprimtari përkatësisht në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor, kishin emërtime kundër-kushtetuese.
Përveç Klan Kosovës, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e certifikatave të biznesit edhe ndaj 5 bizneseve të tjera.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Mes 660 dosjeve të rishqyrtuara, 48 sosh kanë rezultuar me emërtime kundërkushtetuese, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë. Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK ka filluar sot hapat administrativ të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese.”
Tutje ministrja Hajdari ka thënë se ARBK-ja do vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Këto 5 biznese, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi”; “Pristina – Serbi”; “Djakovica – Serbi”; “Kosovska Mitrovica – Serbi”. Bizneset në fjalë kanë veprimtari përkatësisht në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor.” – ka shkruar ministrja.
Kjo Ministri nuk do të ndalet me kaq, pasi ka paralajmëruar masa edhe ndaj bizneseve tjera.
“Ditëve në vijim, pritet që ARBK të vazhdoj me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. MINT mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e ministres Hajdari.
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me 6 korrik 2023, kishte themeluar Komisionin për riverifikim të dosjeve të bizneseve të regjistruara, në veçanti të atyre me dokumente të dyshimta me emërtime antikushtetuese.