
Raporti: Kanal 10
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka pezulluar pëlqimin mjedisor për ndërtimin e një inceneratori termik për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizajt. Sipas ministrit Liburn Aliu dhënia e këtij pëlqimi mjedisor është bërë në kundërshtim me vlerësimet mjedisore dhe ligjet në fuqi. Kundër këtij vendimi shprehet drejtoi i Urbanizmit në Ferizaj duke thënë se edhe komuna edhe kompania i kanë përcjell gjitha procedurat ligjore.
Në komunën e Ferizajt ishte planifikuar ndërtimi i një inceneratori termik.
Por, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka pezulluar pëlqimin mjedisor për këtë projekt.
Një vendim të tillë, ministri Liburn Aliu e ka arsyetuar, pasi sipas tij, do të digjeshin mbi 100 mijë ton mbeturina në vit.
Për këtë, Aliu ka thënë se kanë shkarkuar dy komisione vlerësuese për menaxhimin e mbeturinave dhe dhënies së lejeve mjedisore, pasi sipas tij, kanë vepruar në kundërshtim me ligjet.
Megjithëse është vlerësuar si një projekt i madh dhe i rëndësishëm, numri i dy i kësaj ministrie, zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani, ka thënë se dhënia e pëlqimeve mjedisore është përcjellë me skandale të mëdha ndër vite.
Kundër vendimit të ministrisë janë shprehur zyrtarë nga Komuna e Ferizajt.
Drejtoi i Urbanizmit, Arbër Bytyçi, ka thënë se nuk e kanë pritur mirë, pasi sipas tij, bëhet fjalë për një investim shumë të madh.
Ai ka thënë se komuna dhe kompania i kanë përcjellë të gjitha procedurat ligjore sa i përket pajisjes me leje ndërtimore.
Projekti për inceneratorë ishte planifikuar të realizohet në Varosh të Ferizajt dhe atë e kishte fituar kompania “Erdi Products”.