
Raporti: Viola Korça / Kanal10
Teksa po flisnin për zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka akuzuar bashkëpartiakun e tij, Bekim Haxhiu, se i kishte dërguar një picë në burg deputetit të VV-së, Armend Muja. Ky i fundit e akuzoi Shalën se miq e familjarë të tij kanë bërë dallavere në KEK.
Përplasje të ashpra janë zhvilluar të mërkurën mes pushtetit e opozitës në seancën e jashtëzakonshme për zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe arrestimin e kryeshefit Nagip Krasniqi i dyshuar për korrupsion në këtë ndërmarrje.
Nuk u kursyen as përfshirja e familjarëve dhe miqve të deputetëve, të cilët u akuzuan për dallavere e korrupsion.
Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, akuzoi deputetin e PDK-së, Ferat Shala, për punësimet e familjarëve në KEK dhe dallaveret e miqve të tij në këtë ndërmarrje.
Madje, sipas tij, ndër operatorët kryesor në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë qenë ndërmarrjet që drejtohen nga miqtë e deputetit Shala.
E pas këtyre deklaratave, ka reaguar ashpër deputeti Ferat Shala.
Mirëpo, Shala tha se reagimin e ka me bashkëpartiakun e tij, Bekim Haxhiu, për nxjerrjen e Mujës nga burgu, madje duke i dërguar edhe picë.
Pasi u përmend nga kolegu i tij partiak, përplasjeve iu bashkua edhe deputeti Bekim Haxhiu.
Ai tha se si humanist që është i ka dërguar një picë në burg, Armend Mujës, por s’ka pasur asnjë ndikim në procesin e lirimit të tij.
Në gjithë këtë përplasje mes deputetëve të pushtetit e opozitës, ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Përplasje pati edhe mes deputetëve të partisë në pushtet.
Deputeti, Haki Abazi ka akuzuar Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje se nuk po e lejojnë të marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se lista e deputetëve që duhet të marrin fjalën në Kuvend nuk duhet të përcaktohet nga Dejona Mihali.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Sali Zyba, i cili i tha Abazit nëse e ka provuar picën e PDK-së.
Gjatë gjithë ditës, Kuvendi me një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga PDK-ja, ka diskutuar rreth zhvillimeve në KEK, dhe arrestimin e ish-kryeshefit Nagip Krasniqi.
Ky i fundit tashmë është në paraburgim për një muaj, derisa të martën bordi i KEK-ut, ka pezulluar nga puna.
Krasniqi, i cili është edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës”, “konflikt i interesit” dhe “ushtrim i ndikimit”. /Gazeta10