
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Të martën, janë publikuar biseda të tjera të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila me Slavko Simiqin e Listës Serbe. Në ditën e dytë të publikimeve të këtyre audio-incizimeve, sërish përmendet Milan Radojçiq, si dhe diskutimet me të, që thuhet të jenë bërë në pesë raste. Aty përmendet pjesa pse Radojçiq është në listën e zezë të SHBA-së e çështje të tjera.
Është publikuar pjesa e dytë e incizimeve të bisedës ndërmjet shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Në këto audio-incizime të publikuara nga Nacionale, ata dëgjohen duke biseduar për çështje të ndryshme, derisa aty përmenden edhe diskutimet ndërmjet Kusari-Lilës dhe Milan Radojçiqit, për çka Simiq thotë të kenë biseduar pesë herë.
Ndër të tjerash, aty përmendet që Kusar-Lila dhe Radojçiq të kenë biseduar për çështjen e rrymës në veri.
Në bisedën e incizuar, Kusari-Lila dhe Simiq flasin edhe për çështjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, derisa për Radojçiqin flasin për çështjen e futjes së tij në listën e zezë të SHBA-së.
Në këto incizime, Simiq i lexon Kusari-Lilës edhe një letër që thotë se Milan Radojiçiq i ka dërguar asaj, për shkak të një deklarate të dhënë, në të cilën shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kishte deklaruar se Lista Serbe kontrollohet nga PDK-ja.
Sikur në pjesën e parë të publikimit të këtyre incizimeve, ka pasur reagime të shumta nga partitë opozitare, si dhe nga figura të tjera publike e politike.
Ndërkaq, janë paralajmëruar edhe publikime të tjera, e që lidhen me koordinimin e Vetëvendosjes me Listën Serbe për çështjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përjashtimin e tyre nga Ligji për Pagën Minimale në vend, veprim ky që në atë kohë kishte nxitur reagime të shumta nga shoqatat e dala nga lufta. /Gazeta10