Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Plani franko-gjerman, Krasniqi thotë se nuk beson se publikimet janë të vërteta

Gazeta10
09 November 2022 - 17:23

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk beson që publikimet që janë bërë rreth planit franko-gjerman janë të vërteta, raporton Gazeta10.

Krasniqi ka thënë se ato janë në vazhdën e spekulimeve.

Tutje, ai ka thënë se zhvillimet në veri janë shqetësuese dhe kanë potencial destabilizues.

Krasniqi ka thënë se është e pafalshme që progresi integrues i arritur të zhbëhet kaq shpejt.

 “Publikimet që i kam parë nuk besoj qe janë vërtet plani franko-gjerman andaj janë në vazhdën e spekulimeve që kanë qarkulluar tash e sa javë. Zhvillimet në veri janë shqetësuese dhe nga ajo që po shohim kanë një potencial për të përshkallëzuar tutje. Këto veprime është dashur të mendohen në një sekuencë e cila dërgon në një epilog të qartë dhe fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po duket se ka qenë si rast këtë herë. Është obligim i qeverisë ta trajtojë këtë gjendje dhe të koordinohet me partnerë ndërkombëtar dhe në radhë të parë me ShBA për të rivendosur rendin publik dhe sovranitetin. Do të ishte e pafalshme që krejt ai progres që është arritur në integrimin e komunitetit serb në institucione duke përfshirë policinë e gjyqësorin të zhbëhet kaq shpejt” ka thënë ai për EO.

Më tej, Krasniqi ka thënë se Qeveria duhet t’i marrë seriozisht këshillat e SHBA-së dhe të fokusohet në gjetjen e zgjidhjeve që nuk e përshkallëzojnë situatën.

Ai ka thënë se është obligimi i Qeverisë që ta mbajë rendin publik.

 “Unë besoj që qeveria duhet ti trajtojë këto zhvillime seriozisht e ti marr për bazë këshillat e ShBA dhe të ofrojë zgjidhje që e ruajnë sovranitetin në pjesën veriore të vendit. Unë tashmë nuk po shoh që ka diskutim tjetër përveç situatës në veri dhe mendoj që është urgjenca që kemi para nesh. Të gjejmë mënyra bashkëpunimi që e ruajnë sovranitetin. Unë jam deklaruar që qeveria nuk ka një plan dhe kjo është arsye shtesë dhe i bëjë ftesë qeverisë ta trajtojë këtë situatë me seriozitetin më të madh e të fokusohet në gjetjen e zgjidhjeve që nuk e rrezikojnë përkeqësimin e situatës në veri. Nuk kam marrë informacion dhe nuk mund të them a ka qeveria dakordim me këtë situatë por është obligim i qeverisë të mbajë rendin publik” tha ai.

Kujtojmë se të shtunën pasdite Lista Serbe është tërhequr nga institucionet e Kosovës së bashku me serbët në veri pasi Qeveria e Kosovës ka suspenduar komandantin e policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.