Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

“Po, besoj në pafajësi”, Kurti për ish-krerët e UÇK-së në Hagë  

Gazeta10
24 July 2023 - 21:14

Raporti: Edona Osmani/Kanal10

“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, pastër, çlirimtare dhe antikoloniale”, ishte përgjigja e parë e kryeministrit të Kosovës që kur ka filluar gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kurti në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List” tha se beson në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimit.

“Unë besoj në pafajësinë e atyre që janë atje. Ne e mbështesim mbrojtjen e tyre dhe deri më tani kemi paguar si shtet mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se nuk e kanë mbaruar punën e tyre sa i përket drejtësisë në territoret e ish-Jugosllavisë, sepse në vitet e nëntëdhjeta nga forcat serbe janë vrarë 150 mijë joserbë. Do të thotë që, nëse një njeri ka vrarë deri në 10 prej tyre, janë 15 mijë vrasës serikë në Serbi të cilët shëtisin lirshëm. Nga ky numër, as 1% e tyre nuk kanë përfunduar pas grilave. Edhe këtu kemi një asimetri të theksuar që bie ndesh me pajtimin e popujve tanë në Ballkanin Perëndimor”

Kurti tutje ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, marrëveshjen e Ohrit, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera që lidhen me dialogun.

Edhe njëherë ai nuk hezitoi të shprehë pakënaqësinë e tij në lidhje me trajtimin që Perëndimi po i bën presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Ata e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi”.

I pyetur se a janë të pranueshme 11 pikat e marrëveshjes së Ohërit, Kurti tha sigurisht që janë.

“Dua zbatimin e të gjitha atyre pikave, pa kushte, në plotni dhe sa më shpejt” deklaroi ai për median kroate.

Ndërsa sa i përket raportit më ndërkombëtarët kryeministri Kurti tha se ka komunikim dhe koordinim të rregullt, por ka edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive.  

VIDEO: https://youtu.be/y4Sv6egZ9W0

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.