
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se numri i policëve që janë dorëhequr në veriun e vendit nuk është i vogël, raporton Gazeta10.
Svecla ka thënë se gjysma e atyre policëve nuk i kanë shërbyer Kosovës.
Ai ka thënë se ata janë dorëhequr meqë kanë pasur presion dhe kanë qenë të shantazhuar.
“T’i shohim gjërat qartë, numri i policëve që kanë dhënë dorëheqje nuk është i vogël, 578. Por në realitet numri i policëve që i kanë shërbyet rendit dhe ligjit, që i kanë shërbyer Kosovës, ka qenë shumë më i vogël. Një pjesë e tyre kanë dhënë dorëheqje si pasojë e presionit të madh nga Serbia. Të shtrënguar dhe të shatanzhuar kanë dhënë dorëheqje. Dikund 50% e këtyre policëve nuk kanë qenë fare në shërbim të Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla në “DPT te Fidani”.
Tutje, ai ka folur edhe për ish komandantin e policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq, për të cilin ka thënë se nuk ka pasur ndonjë ymyt në të.
Ai ka thënë se nuk do t’i mungojë fare Policisë së Kosovës.
“Nenad Gjuriq ka marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë në Serbi. Prej tij s’ka pas far ymyti. Qifti i Gjuriqit e Filipoviqit fare nuk do t’i mungojnë Policisë së Kosovës. Rojet e Urës vetëm sa i kemi uniformu dhe pagu. Ata kishin vazhduar me të njëjtat aktivitete. Ata kanë qenë policë që i kanë shërbyer Listës Serbe, Beogradit dhe Vuçiqit”, ka deklaruar Sveçla. / Gazeta10