
Raporti: Fjolla Xheladini/Kanal10
E para se të vendosej për rritje të çmimit të energjisë elektrike, bordi i ZRrE-së u përballë me kritika të ashpra nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ligjvënësit akuzuan bordin se nuk duhet të bëhet ngritja e faturave të energjisë për shkak të mospërformancës së dy operatorëve. E këtyre kritikave u është përgjigjur kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, i cili e ka arsyetuar shtrenjtimin e faturave të energjisë.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike ka përplasur në bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, teksa po raportonin për Planin e Përformancës së ZRrE-së për vitin 2023.
Ligjvënësit kanë akuzuar bordin për shtrenjtimin e faturave për qytetarët për 15 për qind.
Deputeti i partisë në pushtet, Driton Hyseni, tha se nuk mund të ketë shtrenjtim të tarifave për shkak të shkeljeve dhe mos performancës së mirë të dy operatoreve në vitin e kaluar.
Kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Pal Leka, i cili këtë veprim e konsideroi si gabim trashanik.
Kritikave, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu iu kundërpërgjigj, duke thënë se shqyrtimi i tarifave po bëhet për shkak të kostos së lartë të importit, dhe se krahas kërkesave të KEDS dhe KESKO janë përfshirë edhe të gjitha investimet në transmision dhe distribucion.
Derisa edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila kërkoi sqarime nga Fejzullahu nëse janë marrë parasysh vetëm kërkesat e KEDS-it dhe KESKO-s.
Komisioni në fund miratoi Planin e Performancës së ZRrE-së për vitin 2023.