
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel me të ftuar në studio: Faruk Statovci e Bekim Isufi, opinionist të përhershëm, Tahir Batatina (KF Llapi), Lorik Jashanica (gazetar I sportit), Kastriot Rexha (ish-futbollist).
Gjatë diskutimit për ndeshjen mes Ferizajt dhe Lirisë, presidenti i Ferizajt, Lulzim Abazi, tha se lojtarët e Ferizajit ishin shumë të ngarkuar psiqikisht.
“Humbjet asnjëherë nuk përjetohen lehtë. Humbja e sotme është e rëndë sepse e kemi humbur statutin e Superligës. Lojtarët ishin shumë të ngarkuar psiqikisht dhe nuk mundën ta menaxhonin ngarkesën psikike.”, tha fillimisht Abazi.
Tutje, Abazi i uroi fitoren dhe inkuadrimin në Superligë ekipit të Lirisë.
“I uroj fitoren ekipit të Lirisë ka qenë fitore e merituar dhe i dëshiroj suksese në Superligën e Kosovës. Ka qenë një ndeshje e përgatitur shumë mirë nga Federata, të gjitha kushtet dhe parakushtet për lojë ishin të plotësuara por nuk doli ashtu siç menduam ne.”, shtoi Abazi.
Në vazhdim, Abazi tha se një ndër faktorët kryesorë për humbjen e Ferizajt është atakimi i lojtarëve për shkak të ndeshjes ndaj Dukagjinit.
“Ekipi ka qenë shumë i atakuar që nga ndeshja me Dukagjinin. Lojtarët janë sulmuar nga mediat, panelistët dhe trajnerët të cilët kanë bërë gjykime pa gjyq. Kjo ka ndikuar negativisht në psikikën e lojtarëve.”, tha Abazi.
Në fund, Abazi tha se së shpejti do të takohet me lojtarët dhe do të dalin si klub me një qëndrim rreth ndeshjes së sotme.
“Nuk i kam takuar lojtarët pas ndeshjes kam dashur t’i lë të qetë, por do ta bëj së shpejti ku edhe do të bëjmë analizën e lojës dhe do të dalim me një qëndrim.”, përfundoi Abazi.