Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit

Gazeta10
29 January 2023 - 18:42

Raporti: Kanal10

Nga opozita kanë vazhduar të kritikojnë Qeverinë e Kosovës, për siç kanë thënë, qasjen e gabuar në procesin e dialogut. Për këtë, sipas tyre, presioni ndërkombëtar është kthyer nga Kosova, e jo nga Serbia. Por, nga kabineti qeveritar kanë thënë se për shkak se aleatët i shohin mundësi për koncesione nga jashtë qeverisë, prandaj sipas tyre, edhe është shtuar presioni për themelimin e Asociacionit.

Deputetë të partive opozitare kanë hedhur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për qasjen e gabuar në procesin e dialogut me Serbinë.

Ata kanë thënë se ekzekutivi i vendit e ka futur Kosovën në një qorrsokak, duke e vendosur veten në një pozitë të pafavorshme në këtë proces.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për dallim nga e kaluara, tash ka një kërkesë për themelimin e menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Deputeti i LDK-së, ka thënë se Kosova është në pozitën më të pafavorshme për të dialoguar për shkak të vendimeve që çuan në tensionimin e situatës në veri dhe tërheqjen e serbëve nga institucionet e Republikës.

Ai ka thënë se pret nga qeveritarët që të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre, pasi i gjithë presioni është kthyer nga Kosova, në vend se të jetë nga Serbia.

Sa i përket çështjes së Asociacionit, më 31 janar do të mbahet një diskutim me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile, i organizuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se ftesa të tilla nga ambasada amerikane janë të mirëseardhur, por që ka shtuar se nuk do të përkrahin një Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Ndërkaq, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, Albin Kurti, ka treguar disa arsye pse sipas tij, Kosova ndodhet në këtë situatë të presionit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit.

Ndër të tjerash, Zulfaj ka thënë se aleatët në Kosovë shohin potencial për kompromise e koncesione ndaj Serbisë më shumë jashtë qeverisë se sa në Serbi.

“Prandaj edhe i bëjnë presion më shumë Kosovës se sa Serbisë. Vuçiqi po e gënjen perëndimin që mund të shkëputet nga Kremlini. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, pse Kosova duhet të paguajë çmim? Shkëputja e Serbisë nga Kremlini (shumë e dyshimtë, gjithsesi) është e mirë për vetë Serbinë, s’ka pse paguajmë ne për këtë.”, tha Jeton Zulfaj – Këshilltar i kryeministrit Kurti.

Ndryshe, më 31 janar, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë do të mbahet një takim për të diskutuar modalitetet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësues të partive politike e shoqërisë civile e kanë konfirmuar për televizionin pjesëmarrjen në këtë takim, derisa kryeministri Kurti ka bërë të ditur të premten se nuk e ka marrë një ftesë të tillë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.