
Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar tri ndeshjet e para të xhiros së 29-të në elitën e futbollit kosovar.
Ndeshja kryesore u zhvillua në kryeqytet, ku Prishtina ishte nikoqire e skuadrës së Ferizajt.
Bardhekaltërit shënuan fitore 2-0 ndaj mysafirëve, me golat e shënuar nga Kryeziu nga penaltia (45+2) dhe Endrit Krasniqi (74′).
Ndeshje tjetër interesante u zhvillua në Malishevë, ku në “Liman Gegaj” Gjilani arriti fitore me rezultat 2-0 ndaj skuadrës së drejtuar nga Bylbyl Sokoli, Malishevës.
Golat për skuadrën gjilanase i shënuan: Bilalli dhe Zeka, të dy shënuan në pjesën e parë.
Ndërkohë, në “Riza Lushta”, Trepça ’89 shënoi fitore me rikthim. Mitrvocasit mposhtën skuadrën e Llapit me rezultat 2-1.
Të parët në epërsi dolën llapjanët, të cilët shënuan përmes Ilir Krasniqit në pjesën e parë, mirëpo pastaj gjithçka shkoi në anën e 89-shit, të cilët përmes Oyekanmi dhe Sahitit rikthyen rezultatin në të mirë të tyre.
Pas ndeshjeve të sotme, ka ndryshime në tabelë, me Llapin që bie në pozitën e 5-të, gjersa ngritje në tabelë arriti ’89-shi, i cili tashmë gjendet në pozitën e 7-të në tabelë.
Malisheva vazhdon të jetë në pozitën e 9-të, teksa Prishtina renditet e 4-ta në tabelë.
Me fitoren e sotme, Gjilani vazhdon të renditet i treti në tabelë me 43 pikë.