Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Projekti i Unazës së Prishtinës, Përparim Rama me letër të hapur për Kurtin: Mos e vononi më

Gazeta10
25 Janar 2026 - 15:23

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të projektit të Unazës së Prishtinës, një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Në letrën e tij, Rama thekson se projekti, i cili ka mbetur i bllokuar për më shumë se katër vjet në nivel qendror, ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe cenon interesin publik. Ai rikujton se gjatë fushatës zgjedhore, Kryeministri në detyrë kishte shprehur publikisht mbështetje për zhbllokimin e këtij projekti, duke njohur rëndësinë e tij strategjike.

“Megjithatë, për më shumë se katër vjet, realizimi i këtij projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës. Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e kryeqytetit dhe po cenon seriozisht interesin publik”, ka njoftuar Rama.

Rama thekson rëndësinë financiare të projektit, i cili është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) me vlerë totale prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40% janë fonde grant, respektivisht deri në 82.4 milionë euro të pakthyeshme.

Kryetari i Prishtinës paralajmëron se çdo zvarritje institucionale rrezikon humbjen e këtyre fondeve dhe kredibilitetin institucional të vendit ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

“Ky nuk është një projekt politik. Nuk i shërben një partie apo një mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit, ekonomisë, mobilitetit urban dhe cilësisë së jetës së qytetarëve,” shkruan Rama, duke bërë thirrje për vendosjen e interesave të qytetarëve mbi çdo kalkulim politik.

Kryetari i Prishtinës kërkon që Qeveria në detyrë të eliminojë menjëherë pengesat administrative dhe institucionale dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme, duke e cilësuar projektin si prioritet strategjik kombëtar dhe pjesë të rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.