Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin e sulmit seksual ndaj alpinistes 

Gazeta10
01 October 2022 - 15:48

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për 25-vjeçarin F.B., i cili dyshohet se sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikqi mbrëmjen e së martës në Pejë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi për KosovaPress se sot pritet të mbahet seanca e procedurës paraprake lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese në Gjykatën Themelore në Pejë, transmeton Gazeta10.

Alpinistja Mrika Nikqi publikoi pasditen e së premtes një video në rrjetin social Facebook ku tha se ishte viktimë e sulmit seksual nga një person me inicialet F.B., të martën në ora 20:50 në një nga rrugët kryesore të qytetit të Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, u shpreh se në lidhje me këtë çështje janë angazhuar dy prokurorët e shtetit të cilët kanë qenë në koordinim me Policinë e Kosovës deri në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Pasi është raportuar ky rast me datën 27 shtator, Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht dy prokurorët e shtetit kanë qenë të angazhuar në këtë çështje penale në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe njësitë relevante, ku fillimisht është bërë identifikimi i personave përmes kamerave të sigurisë publike dhe më pas është bërë arrestimi i tij dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Gjatë ditës së sotme është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, që pritët të mbahet sot seanca e procedurës paraprake lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese në Gjykatën Themelore në Pejë”, tha ai./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.