Lajme

Prokuroria Shqiptare ua ndalon mediave publikimin e materialeve të hakuara

Gazeta10
19 Shtator 2022 - 18:34

Nëpërmjet një komunikate, Prokuroria e Shtetit e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të publikimit të materialeve të hakuara në Ministrisë së Brendshme, në të cilat flitej për planin e atentatit kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shkruan Gazeta10.

Sipas njoftimit, kushdo që nuk e respekton këtë vendim do të ndiqet dhe mbahet përgjegjës për vepra penale, me arsyetimin se “publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit Në zbatim të vendimit të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të datës 19.09.2022, për sekuestrimin e të dhënave, në kuadër të procedimit penal Nr.5430 të vitit 2022, për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve” bëjmë me dije mediat dhe opinionin publik se: Me vendimin e datës 19.09.2022, Prokuroria ka vendosur ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, vendim ky në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale “Ndalimi i publikimit të aktit”. Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit. Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi. Në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal Nr.5430/2022, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave dhe të opinionit publik, pasi publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.