Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Protestuesit pro-rusë tentojnë të hynë në Presidencën serbe, Vuçiq: S’do të lejojmë dhunë

Gazeta10
15 February 2023 - 22:35

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti nuk do të lejojë dhunë dhe do të veprojë menjëherë, pasi protestuesit e krahut të djathtë tentuan të hynin në Presidencën serbe.

Pas protestës së djathtistëve pro-rusë në Beograd, Vuçiq mbajti një takim me shërbimet e sigurisë.

“Shteti nuk do të lejojë banditët dhe ekstremistët, me ndihmë nga jashtë, qoftë nga Perëndimi apo Lindja, që të kërcënojnë rendin kushtetues”, tha ai për televizionin Pink.

Vuçiq nuk dha më shumë detaje për këtë temë.

Djathtistët serbë u mblodhën në Beograd më 15 shkurt për të protestuar kundër autoriteteve serbe dhe dialogut me Kosovën, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë protestë, të organizuar nga organizata e ekstremit të djathtë, “Patrulla e Popullit”, u panë edhe simbolet e grupit mercenar rus, Wagner. Po ashtu, protestuesit brohoritën mesazhe ofenduese ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë parandaluar djathtistët që të hynin në ndërtesën e Presidencës serbe.

Paraprakisht, protestuesit kishin larguar disa pjesë të rrethojave të vendosura pranë Presidencës dhe disa hodhën edhe vezë në drejtim të ndërtesës.

Ata u nisën drejt hyrjes kryesore të Presidencës, për siç thanë, dorëzuar kërkesat e tyre te Vuçiqi. Sipas tyre, kërkesa kryesore është ndërprerja e dialogut me Kosovën.

Disa pjesëmarrës në protestë, siç kanë raportuar gazetarët e Radios Evropa e Lirë që kanë përcjellë ngjarjen, kishin simbole të Wagner-it dhe shkronjën Z, që është bërë simbol i pushtimit rus të Ukrainës.

Kreu i “Patrullës së Popullit”, Damjan Knezheviq, gjatë adresimit para protestuesve tha se askush në partinë udhëheqëse në Serbi, Partisë Përparimtare Serbe, “nuk mund ta quajë veten serb”./REL

Fotografi të marra nga Radio Evropa e Lirë:

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.