
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Partia Social Demokrate ka zhvilluar një aksion simbolik në oborrin e Qeverisë së Kosovës nga ku kritikuan kryeministrin Albin Kurti, për deklarimet e dhëna në 5 vjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ata para këtij institucioni vendosën një fotografi të Ivanoviqit, derisa kërkuan nga i pari i ekzekutivit që të kërkojë falje për deklaratat që bëri ditë më parë, shkruan Kanal10.
Një improvizim të pllakës përkujtimore me foton e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, po e vendosin para Qeverisë së Kosovës.
Bashkë me të, me vete kanë sjellë edhe kurora lulesh.
Përmes këtij aksioni, nga Partia Socialdemokrate po kritikojnë kryeministrin Albin Kurti, për deklaratat ndaj Ivanoviqit, në 5 vjetorin e vrasjes së tij.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se deklaratat e Kurtit janë skandaloze dhe të papranueshme.
Ai u shpreh se i pari i ekzekutivit ka nderuar një person që ka qenë përgjegjës për ekzekutimin e qytetarëve të Kosovës dhe shpërnguljen e tyre nga veriu.
Molliqaj kërkoi nga Kurti që të kërkoj falje për deklaratat e tij, derisa u shpreh se një qasje e tillë nuk duhet të toleratohet.
Video-mesazhi i kryeministrit Albin Kurti në 5 vjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit nxiti reagime të shumta në vend.
Krerë të partive opozitare, akterë politikë, të mbijetuar e familjarë të të zhvukurve në rajonin e Mitrovicës i cilësuan si fyerje lëvdatat që Kurti i thurri ndaj ish-politikanit serb.