Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Publikohet një draft-statut për asociacionin                           

Gazeta10
20 October 2022 - 19:24

Pas deklaratave të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar rreth formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjatë ditës është publikuar edhe një draft-statut. Ky draft-statut parasheh që asociacioni t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi. Por, asociacionin po e kundërshton partia në pushtet Vetëvendosje, derisa opozita ka kritikuar qeverinë për mostransparencë, raporton Gazeta10.

Raporti: Viola Korça

Kamera:Tonin Fejza

Një ditë pas deklarimit në Kanal10 të të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar rreth Asociacionit të komunave serbe, tashmë është bërë publik edhe një drafti-statut i këtij organizmi.

Ky draft i quajtur si “draft gjerman”, përmban 17 nene dhe parasheh që asociacioni do t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi.

Sipas draftit, janë disa objektiva kryesore të Asociacionit: Forcimi i demokracisë lokale, mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale dhe ajo e edukimit.

Ndër funksionet që përfshin drafti është edhe mundësia e bashkëpunimit me shtete e operatorë ekonomikë të rajonit, përfshirë të Republikës së Serbisë në fushën e ekonomisë lokale, edukimit e shëndetësisë.

Por, formimin e këtij asociacioni po u kundërshton partia në pushtet, Vetëvendosje.  Sipas deputetes, Arbëresha Kryeziu-Hyseni formimi i asociacionit është antikushtetues.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Rashit Çalaj thotë se ditëve të fundit janë dhënë sinjale se marrëveshja finale është afër, por që kjo sipas tij duhet të ketë njohjen reciproke.

Sa i përket procesit të dialogut, nga partia tjetër opozitare LDK-ja, kritikojnë kryeministrin Albin Kurti për mostransparencë.

Edhe nga AAK thonë se nga qeveria presin unifikim me partitë opozitare sa i përket kësaj çështjeje.

Emisari amerikan Gabriel Escobar, ekskluzivisht në Prime Time në Kanal10 ka zbuluar se ka folur me presidenten Vjosa Osmani për modelet e Asociacionit të komunave serbe.

Escobar ka thënë se ajo çka është më e rëndësishmja për Asociacionin, është se duhet t’u përshtatet ligjeve të Kosovës.

Vetëm pak orë pasi u takua me diplomatin amerikan Escobar, kryeministri Albin Kurti u ka dërguar ftesë krerëve të partive opozitare për takim për këtë të premte./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.