
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka vlerësuar se pavarësisht tensioneve, zgjedhjet në veri duhet të mbahen. Ndërsa, nga LDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që të njëjtat të shtyhen. Kjo pasi sipas tyre, sidomos tensionet e fundit kanë rritur pasigurinë atje. Ata kanë kritikuar qeverinë për dakordimin në Ohër, të cilët kanë thënë se e njëjta kishte qëllim ta qetësojë situatën në veri, por sipas tyre, ka ndodhur e kundërta.
Partitë opozitare kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me zgjedhjet në veri.
Anëtari i PDK-së në Komisionin për Siguri, Rashit Qalaj, ka thënë se pavarësisht tensioneve, zgjedhjet e 23 prillit duhet të mbahen.
Ai thotë se qytetarët duhet të votojnë në shkolla dhe assesi në stacione policore.
Ndërkaq, nga LDK-ja kanë thënë se dakordimi në Ohër kishte qëllim qetësimin e situatës në veri, por një gjë e tillë sipas tyre nuk po shihet.
E kreu i AAK-së Ramush Haradinaj i ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në veri, pasi sipas tij, nuk është proces i qëndrueshëm.
Institucionet e Kosovës ende nuk kanë marrë ndonjë vendim lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.
Një ditë më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të sigurisë të vlerësojnë nëse ka kushte për organizimin e procesit zgjedhor në këto komuna.