Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Qeveria e Kuvendi nuk zbatojnë vendimin e Kushtetueses për Skemat Pensionale, reagon IKD

Gazeta10
22 April 2023 - 10:16

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ende nuk ka filluar zbatimin e vendimit për Skemat Pensionale në Kosovë.

Sipas tyre Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykim, përmes së cilit ajo kishte deklaruar të pranueshme kërkesën e Gjykatës Supreme e cila kishte ngritur dyshime për kushtetuetshmërinë e paragrafi 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale te Financuara nga Shteti në lidhje me nënparagrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015.

“Gjykata kishte vlerësuar se kjo dispozitë e Ligjit për Skemat Pensionale është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, (Brazia para Ligjit) dhe me Konventën Evropianë për të Drejtat e Njeriut (Ndalimi i Diskriminimit) dhe (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit).Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që brenda gjashtë muajve, jo më larg se me 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Në të njëjtën kohë, këto dispozita shfuqizohen me 15 korrik 2023”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Projektligji për Skemat Pensionale, ishte i përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2021 dhe 2022 për miratim në Qeveri, por i njëjti nuk ishte miratuar. Në programin legjislativ për vitin 2023, përkundër obligimit që rrjedh nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 121-të, nuk e përfshin këtë projektligj në Programin Legjislativ.

Një reformë pensionale, ishte premtuar në fushatën elektorale të vitit 2021 nga partia që aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin, por e njëjta nuk është inicuar përkundër faktit që kanë kaluar dy vite të Qeverisë Kurti 2 dhe përkundër faktit që bartësit e këtyre dy institucioneve, janë në dijeni për mohimin e të drejtës në pension kontributdhënës për mijëra qytetarë të Kosovës.

IKD shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me mos nisjen e zbatimit të këtij aktgjykimi, kur kihet parasysh se vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë dhe nuk ka ndonjë arsye të veçantë që mund ta pengojë Kuvendin dhe Qeverinë të nisë së zbatuari këtë aktgjykim, për të miratuar ndryshimet e kërkuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.