
Qeveria e Serbisë ka publikuar në ueb faqen e saj informacione për debatin parlamentar për Kosovën. Në versionin anglisht shprehen “REPUBLIKA E KOSOVËS” krejtësisht rastësisht.
Të enjten që lamë pas, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka raportuar para deputetëve serbë në lidhje me planin franko-gjerman si dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Gjatë kësaj seance, Vuçiq tha se Serbinë e presin ditë shumë të vështira.
“Duhet të flasim, të kërkojmë zgjidhje, të gëlltisim, të heshtim, pa rrezikuar interesat jetike, por të jemi të hapur për kompromis”, tha ai.

Ndërsa në një komunikatë të fundit të lëshuar nga Qeveria e Serbisë dhe e cila u publikua në ueb-faqen zyrtare, Kosovës i referohen Republika e Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur më herët nga zyrtarët serbe apo vetë Qeveria apo Presidenca e Serbisë.
“Pika 2: Këmbëngulja në formimin e Asociacionit, i cili duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe organizimin e tyre në Republikën e Kosovës, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk duhet ta pengojë”, thuhet në komunikatë.
Në lidhje me këtë ka reaguar ish-kryediplomati serb, Vuk Jeremiq.
Ai tha se ata ose janë tradhtarë ose injorantë.
“Ata janë ose tradhtarë ose injorantë. Ose të dyja. Kjo do të kërkonte dorëheqje në Spanjë apo Qipro”,shkroi ai.
Pas këtij reagimi të Jeremiq, komunikata është ndryshuar në ueb-faqen e Qeverisë së Serbisë./Gazeta10