Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Qeveria miratoi raportin, kjo është gjendja e mjedisit në Kosovë

Gazeta10
28 October 2026 - 10:07

Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin e kaluar. Në raport u përmend si progres përmirësimi i cilësisë së ajrit, rritja e mbulueshmërisë së trajtimit të ujërave të zeza dhe cilësia e ujit të pijshëm në sistemin publik.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se sfida kryesore në gjendjen e mjedisit në Kosovë është menaxhimi i dobët i mbledhjes së mbeturinave.

Nga të gjeturat kryesore evidentohen këto përmirësime: cilësia e ajrit ka shënuar përmirësim në uljen e ndotjes nga grimcat PM10, mbulueshmëria e trajtimit të ujërave të zeza është rritur në 11 për qind në nivel vendi, falë investimeve dhe funksionalizimit të impianteve në Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Skenderaj. Cilësia e ujit të pijshëm nga sistemet publike ka arritur në 98.75 për qind të pajtueshmërisë me standardet. Zbatimi i tarifës prej 5 centësh për qeset e plastikës ka ndikuar në uljen e importit të këtyre qeseve. Përtej progresit, ka edhe ngecje dhe sfida që kërkojnë adresim. Menaxhimi i mbeturinave mbetet i dobët. Këtu barrën kryesore e kanë nivelet lokale, ku kemi punuar dhe do të punojmë intensivisht për të rritur kapacitetet e kompanive rajonale, në mënyrë që ta përmirësojmë gjendjen me mbeturinat. Zonat e mbrojtura në parqet kombëtare janë nën presion të vazhdueshëm nga ndërtimet e pakontrolluara, infrastruktura dhe turizmi i pakontrolluar”, tha ajo.

Ekzekutivi në mbledhjen e sotme i dha dritën e gjelbër tri marrëveshjeve me Suedinë, që kanë të bëjnë me ndihmën e ndërsjellë juridike për çështje penale, ekstradimin, si dhe transferimin e personave të dënuar.

Në lidhje me sistemin e drejtësisë, Qeveria miratoi edhe traktatin për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se këto marrëveshje forcojnë kuadrin ligjor mes shteteve në çështjet penale.

“Kjo marrëveshje e forcon kuadrin ligjor të dy shteteve tona në çështjet penale, rregullon procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dhe krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore, me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftimin e krimit transnacional”, theksoi Gërvalla.

Qeveria, po ashtu, miratoi edhe disa vendime që kanë të bëjnë me shpronësimet e pronave me interes publik dhe i propozoi Kuvendit emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se në ditët në vijim do të mbahet edhe një mbledhje e Qeverisë për miratimin e buxhetit për vitin 2027.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.