
Qeveria e Kosovës tha se kritikat e saj ndaj Gjykatës Speciale “mbeten të qëndrueshme”, pas dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin e dytë ndaj tij dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.
Ekzekutivi në Kosovë foli për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimin e vendimeve, por shtoi se kjo s’e përjashton të drejtën për të ngritur shqetësime për funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
“Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë, u shpall aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë. Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.