
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka zhvilluar diskutime në selinë globale të Bloomberg në New York, ku në fokus kanë qenë ndryshimet gjeoekonomike dhe ndikimi në rritje i Inteligjencës Artificiale dhe Big Data në ekonominë botërore.
Rama përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se Prishtina, si një nga kryeqytetet më të reja të Evropës, ka një potencial të madh për shkak të gjeneratës së re, të cilën e ka përshkruar si të talentuar, kreative dhe të lidhur me teknologjinë.
Sipas tij, ambicia e Prishtinës duhet të shkojë përtej zhvillimit tradicional urban, duke synuar krijimin e një qyteti që tërheq dije, teknologji, kapital dhe investime.
“Duhet të ndërtojmë një Prishtinë që tërheq dije, teknologji, kapital dhe investime. Një qytet ku inovacioni krijon vende pune dhe ku talenti ynë gjen arsye për të qëndruar, krijuar dhe konkurruar globalisht”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e lidhjeve me tregjet dhe qendrat ekonomike ndërkombëtare, duke përmendur diskutimet për vendet nordike, Bashkimin Evropian dhe Azinë.
“Prishtina është e vogël në hartë, por ambicia e saj nuk duhet të ketë kufij”, është shprehur Rama, duke shtuar se nga New Yorku po synohet ndërtimi i urave të reja për ta lidhur kryeqytetin me ekonominë, teknologjinë dhe mundësitë globale.
Rama ka vlerësuar se në ekonominë e re botërore, lidhja me dijen, teknologjinë dhe rrjetet ndërkombëtare po merr rëndësi të veçantë për zhvillimin e qyteteve dhe ekonomive.