
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi i tij do të shënojë sot një tjetër hap në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, me mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikën industriale.
Këtë të hënë, më 13 tetor, në Luksemburg do të mbahet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e këtij kapitulli.
“Dhe me lajmin se sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE, ju uroj një ditë të mbarë.”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Mbajtja e konferencës është konfirmuar edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
Me mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20, Shqipëria do të ketë gjithsej katër kapituj të mbyllur në negociatat për anëtarësim në BE.
Më 14 korrik të këtij viti, Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë, përkatësisht Kapitullin 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullin 26 – Arsimi dhe Kultura, si dhe Kapitullin 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe synon përmbylljen e procesit negociues brenda vitit 2027.
Mbyllja e përkohshme e kapitujve nuk nënkupton përfundimin e procesit të anëtarësimit, pasi marrëveshjet për kapitujt individualë konsiderohen përfundimtare vetëm pas arritjes së marrëveshjes së përgjithshme për negociatat.