
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po pengon projektet zhvillimore në kryeqytet, duke kërkuar nga Vetëvendosje të tregojë se kush ka urdhëruar ndalimin e punimeve.
Rama i është referuar edhe një dokumenti të përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarit për spiunazh në favor të BIA-s serbe, Fatmir Sheholli.
Sipas aktakuzës, përshkruhet një plan që synonte destabilizimin e Kosovës përmes radikalizmit fetar dhe përçarjes së shqiptarëve me diasporën. Në të përmendet edhe synimi që, pas 20 vitesh, “Kosova të duket si Kandahari”, me qëllim ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar ndaj Kosovës.
Duke iu referuar kësaj, Rama ka ngritur pyetjen: “Kujt po i shërben kjo bllokadë? Kujt po i pengon zhvillimi i Kryeqytetit? Dhe kush po don me e pa Kosovën si ‘Kandahar’?”
Rama ka thënë se, përveç sheshit “Xhorxh Bush”, është bllokuar edhe projekti “Ishulli Urban”, i cili, sipas tij, lidh rreth 30 mijë banorë të Arbërisë me qendrën e Prishtinës.
Ai ka përmendur 20 majin 2026 si datën kur, sipas tij, janë ndaluar punimet, ndërsa më 5 qershor është miratuar akti ligjor.
“Tregoni qytetarëve të Prishtinës, mbi çfarë baze i ndalët punimet? Me urdhër të kujt i vendosët shiritat?”, ka shkruar Rama.