
Komisioni Evropian ka publikuar raportin vjetor për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit. Aty janë evidentuar kritika në sistemin e drejtëissë, punën e Kuvendit por edhe në procesin e dialogut me Serbinë, duke kërkuar konstruktivitet nga Kosova. Në prezantimin e raportit, Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi ka thënë se Kosova ka bërë përpjekje për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Raporti voluminoz u është dorëzuar presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.
Raporti: Viola Korça.
Shumë kritika por edhe vlerësime pozitive përmban raporti për këtë vit i Komisionit Evropian për Kosovën.
Në gjetjet e këtij raporti është kritikuar puna e Kuvendit të Kosovës, për menaxhim të dobët të agjendës legjislative.
Kurse, sa i përket sistemit të drejtësisë, thuhet se Kosova ka akoma shumë punë për të bërë në këtë drejtim për të shmangur ndikimet politike. Derisa, është përmendur përparim në luftën kundër korrupsionit.
Ndër të tjera në këtë raport veçohet nevoja urgjente e arritjes se marrëveshjes ligjërisht të obligueshme Kosovë-Serbi, duke kërkuar që të dyja shtetet të jenë konstruktive në dialog.
Në prezantimin e paketës së zgjerimit për vendet e Ballkanit Pernëdimor, Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka thënë se Kosova ka bërë përpjekje për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ai ka folur edhe për procesin e dialogut.
Ky raport, pasditen e së mërkurës u është dorëzuar krerëve të institucioneve të vendit nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Fillimisht këtë raport e pranoi presidentja Vjosa Osmani dhe më pas edhe kryeministri Albin Kurti./Gazeta10