
Raporti:Arbenita Ilazi
Familjarët dhe avokati i të liruarit me qëndrime të ndryshme, OJQ-të për të drejtat e grave heshtin
Vazhdojnë reagimet e shumta pas vendimit të Gjykatës Supreme për lirimin nga akuza të Naser Pajazitajt, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-s. Familja ka shprehur zhgënjimin për drejtësinë teksa avokati i të liruarit ka deklaruar se gjykata mbajti të burgosur për 7 vjet klientin e tij pa asnjë provë. Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar llogari nga institucionet e drejtësisë për këtë konfuzion vendimesh.
Naser Pajazitaj qëndroi në burg për 7 vite por pa u ndalur së kërkuari drejtësi.
Të enjten e 6 prillit, një panel i Gjykatës Supreme vendosi për lirimin e tij pasi ishte dënuar dy herë nga gjykata të tjera me burgim të përjetshëm.
Avokati mbrojtës i Pajazitajt tha për Kanal10, se që nga dita e parë gjykata nuk pati as edhe një provë të vetme që e involvon Naserin në këtë krim.
Të zhgënjyer nga ky vendim i Gjykatës Supreme kanë mbetur familjarët e Donjeta Pajazitaj.
Vëllai i viktimës, Shkëlqim Pajazitaj, thotë se pas lirimit të Pajazitaj nuk dinë sit ë veprojnë e cfarë të bëjnë më tej.
Ky rast kishte marrë epilog gjyqësor në shkallë të parë, ku Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm dhe pas kthimit në rigjykim, në rastin e dytë ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Donjeta Pajazitaj ishte shpallur e zhdukur përreth 6 javë për tu gjetur e vdekeur në bjeshkët e Strellcit të Decanit.
Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar për këtë situatë nëpërmjet një komunikate për media.
“Nga i pafajshëm – në burgim të përjetshëm. Nga 35 vite burgim – në liri. Kjo laramani e vendimeve ilustron qartë dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Donjeta është një viktimë e femicidit dhe për të nuk ka ende drejtësi. Vrasësi i saj është në liri. Kërkojmë që institucionet e drejtësisë të japin llogari për dështimet në trajtimin e këtij rasti dhe kërkojmë drejtësi për Donjetën” thuhet në reagim.
Reagimi është mbështetur edhe nga organizatat e tjera si Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, YIHR e aktivistë të ndryshëm. /Gazeta10/