
Dëshmitarja e dytë në rigjykimin ndaj Endrit Nikës, Vlora Makolli, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë-Kosovë, ka deklaruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë se Maria Clara Urdangaray ishte e vetëdijshme gjatë kohës sa po transportohej me autoambulancë.
Makolli ka treguar se viktima kishte dhimbje të forta gjatë gjithë kohës, ndërsa ekipi mjekësor i kishte ofruar ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe gjatë transportimit për në spital.
Ajo ka shpjeguar se, pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, ekipi kishte vlerësuar gjendjen e pacientes, kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme mjekësore, e kishte vendosur në barelë dhe më pas në autoambulancë.
“Ne si ekip vendosim dy kanella, tretjen dhe injeksionet për dhimbje, sepse pacientja shihej se ka dhimbje të forta. Doktoresha e ka pyetur për emrin për ta ditur se a është e vetëdijshme në gjuhën angleze”, ka deklaruar Makolli.
Dëshmitarja ka thënë se nuk e kuptonte anglishten dhe se për komunikimin e pacientes ishte informuar nga doktoresha.
Sipas saj, Maria Clara kishte thënë se nuk e kishte shtyrë askush dhe se nuk kishte dashur të binte.
“Ka gjëmuar tërë kohën dhe kur ka folur ka qenë me dhimbje. Gjatë rrugës është qetësuar. Ka thënë edhe se nuk ka dashur me ra”, ka deklaruar ajo.
Gjatë dëshmisë, avokati i viktimës, Leotrim Syla, e ka pyetur Makollin nëse Endrit Nika kishte qenë pranë pacientes gjatë kohës kur ajo ishte bartur.
“Nuk e kam parë që ka qenë afër”, është përgjigjur dëshmitarja.
Endrit Nika po gjykohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pasojë e lëndimeve të marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Aktakuza ndaj Nikës është ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ai akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, fillimisht e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë Urdangaray-n drejt qoshes së dhomës, duke ia pamundësuar largimin. Më pas, sipas aktakuzës, ai dyshohet se e kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga kati i gjashtë.
Si pasojë e lëndimeve të marra, Urdangaray kishte ndërruar jetë në QKUK.
Nika akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.