
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Reagime të shumta vendore e ndërkombëtare ka nxitur sulmi ndaj gazetarit Valon Syla. Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë se mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Derisa, sjelljen e autorëve para drejtësisë e kanë kërkuar edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sulm ndaj lirisë së shprehjes, është cilësuar sulmi fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike.
Ai ka kërkuar që sa më parë autorët e sulmit të dalin para drejtësisë.
Sulmi ndaj gazetarit, sipas kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, është shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike.
“Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm. Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare. Kërkohet që organet kompetente të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë!”- Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit të Kosovës
Sulmi është dënuar edhe nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ka kërkuar që kryesit e veprës të dalin para drejtësisë.
“Liria e Shprehjes është vlerë themelore e BE-së, dhe duhet të mbrohet. I dëshiroj shërim të shpejtë Sylës. Sulmuesit duhet të identifikohen dhe të dënohen.”- Tomas Szunyog – Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë
Për sulmin ndaj Sylës kanë reaguar edhe liderë të partive opozitare, përfaqësues të tjerë të institucioneve, si dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare.