
Raporti: Egzona Shala
Derisa reduktimet e energjisë elektrike vijojnë edhe në javën e dytë. Kjo situatë po u shkakton dëme financiare bizneseve në vend. Disa kompani thonë se përpos vonesave në prodhim të produkteve janë të rrezikuar edhe nga prishja e pajisjeve. Njëra nga to është edhe kompania “Floil”. Nga kjo kompani nuk përjashtojnë rrezikun e largimit të punëtorëve. Kurse, përfaqësues të bizneseve kanë thënë se nga reduktimet e rrymës, Kosova ka humbur 40 milionë euro, shkruan Kanal10.
Zhurma e temperatura e lartë në kompaninë e prodhimit të vajit ushqimor në Gjilan, nuk i pengon 130 punëtorët ta vazhdojnë punën.
Por, shumë prej tyre në pak muaj rrezikohen të mbesin pa punë.
Krejt kjo për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike që bizneseve po u sjellin dëme financiare.
Pronari i kompanisë “Floil” Berat Mustafa, thotë se reduktimet janë duke shkaktuar dëme në prodhim, duke theksuar edhe rrezikun e madh i prishjes së pajisjeve që kapin vlera të larta financiare.
Menaxheri i cilësisë së prodhimit, Etrit Beshtica, thotë se për shkak të ndërprerjeve të energjisë, shkaktohen dëme në cilësinë e produktit.
Por, teknologia Enda Ramadani, thotë se vëmendja tani është edhe më e madhe dhe pandërprerë bëjnë testime të produkteve.
Nga, Aleanca Kosovare e Bizneseve, kanë thënë se Kosova ka humbur rreth 40 milionë euro si pasojë e dëmtimit të bizneseve nga ndërprerja e rrymës.
Ditë më parë, KEDS-i ka thënë për Kanal 10 se nuk mund të bëjnë përjashtime për bizneset, përpos konsumatorëve të mbrojtur, siç janë spitalet, minierat e aeroportet. /Gazeta10