Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Reduktohet puna në Gjykata dhe Prokurori

Gazeta10
24 November 2022 - 19:57

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Reagime të shumta ka vazhduar të nxitë, vendimi i qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Si pasojë e kundërshtimeve të këtij vendimi, gjatë së enjtes, në gjykata dhe në prokurori janë kryer vetëm shërbime esenciale. Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje gjyqtarëve e prokurorëve të vazhdojnë punën, shkruan Kanal10.

Dhjetëra seanca gjyqësore janë anuluar në të gjitha gjykatat e vendit gjatë së enjtes.

Anulimi i seancave dhe reduktimi i punës në institucionet e drejtësisë, ka ardhur si pasojë e pakënaqësive ndaj Qeverisë së Kosovës, me vendimin për t’ua ulur pagat për rreth 800 euro, prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Si pasojë e vendimit të KGJK-së për reduktimin e punës në gjykata, që nga datat 24 nëntor, qytetarët mund të kryejnë vetëm shërbime esenciale në gjykatat e vendit.

Derisa, edhe prokuroritë themelore kanë pranuar të kryejnë shërbime vetëm të natyrës urgjente.

Gjatës së enjtes, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka miratuar edhe listën e shërbimeve, në të cilën përfshihen rastet me paraburgim dhe ato që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore, si dhe shërbimet administrative.

Avokati Naim Rudari, ka thënë se gjatë së enjtes nuk janë mbajtur disa seanca, në rastet që edhe ai i ka pasur në përfaqësim.

Ai ka thënë se një situatë e tillë i dëmton qytetarët, si dhe ndikon në grumbullimin e lëndëve nëpër gjykata e prokurori.

Përveç nga sistemi gjyqësor, anulimin e këtij vendimi e kanë kërkuar edhe nga ai prokurorial.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës njofton opinionin publik se në koordinim me Këshillin Prokurorial të Kosovës do të ndërmerr veprime konkrete për kontestimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve, përmes rrugëve ligjore dhe organeve gjyqësore vendimmarrëse”, thuhet në njoftimin Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.

Por, qasjen e KGJK-së dhe KPK-së për çështjen e pagave e ka kundërshtuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo i ka ftuar gjyqtarët dhe prokurorët që të vazhdojnë punën e të mos veprojnë për interesa personale, duke thënë se vendimi për rritjen e pagave të tyre në vitin 2017, ka qenë kundërligjor.  

I befasuar me vendimin e qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët është shprehur edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog.

Ai ka thënë se financimi adekuat dhe pavarësia e gjyqësorit është gurthemel i sistemit të drejtësisë.

Ndryshe, të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’ua zbres për 800 euro pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve, për çka ka nxitur reagime edhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, atij Prokurorial, por edhe të shoqërisë civile të cilët e kanë kundërshtuar një vendim të tillë, duke e cilësuar atë si kundër-kushtetues.

Pas këtij vendimi, KGJK-ja dhe KPK-ja kanë marr vendim për reduktimin e punës, vetëm për shërbimet esenciale.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.