Duhet Lexuar

Regjistrimi i popullsisë: Shqipëria më e plakur e më pak besimtare

Gazeta10
06 Korrik 2024 - 18:55

Në 12 vjet, popullsia në Shqipëri ka pësuar ndryshime të shumta. Të dhënat e regjistrimeve të fundit të popullsisë tregojnë se mosha mesatare është rritur, njësitë familjare janë zvogëluar dhe numri i besimtarëve myslimanë, katolikë e ortodoksë është ulur.

Ndryshimet nisin qysh nga numri i përgjithshëm i banorëve, që në regjistrimin e fundit të popullsisë, të kryer gjatë vitit 2023, është ulur në rreth 2.4 milionë banorë.

Për këtë ulje të popullsisë fajësohet shkalla e lartë e emigrimit. Ish-drejtorja e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), Ines Nurja, thotë se rezultatet e regjistrimit duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi për politikbërësit.

Sipas saj, me urgjencë duhet të ndërmerren masa për ta ndaluar emigrimin.

“Së pari, duhet pranuar fenomeni. Më pas duhen ndërmarrë politika afatgjata për të frenuar largimin”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, Shqipërinë e lënë mesatarisht 42 mijë persona në vit. Si arsye kryesore të emigrimit theksohen mundësitë më të mira për punë, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Politikat që nxisin rritjen e shkallës së lindshmërisë – që në Shqipëri ka ndjekur një trend rënieje në vitet e fundit – janë veçanërisht të nevojshme tani që popullsia po plaket me ritme të shpejta, paralajmëron Nurja.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Shqipëri, mosha mesatare është rritur në 42.5 vjet nga 35.3 sa ishte në regjistrimin e bërë në vitin 2011.

Nurja thekson se veçanërisht shqetësuar është ulja e grupmoshave që janë aktive në tregun e punës.

“Fuqia punëtore është grupmosha më e vogël, krahasuar me të tjerat. Qarku i Vlorës mban vendin e parë [me përqindjen më të vogël], me 13 përqind të popullsisë që i përket kësaj grupmoshë. Kjo do të thotë që jo rini, por as fëmijë nuk ka më”, thotë Nurja.

Qarqet e Elbasanit dhe Shkodrës kanë pasur rënien më të madhe të popullsisë, me mbi 25 për qind rënie. Ndërsa, në qarkun e Tiranës është rritur popullsia për 1.2 për qind.

Ndryshime kanë pësuar strukturat familjare. Në regjistrimin e vitit 2011, madhësia mesatare e njësive familjare ishte 3.9 anëtarë, ndërsa regjistrimi i fundit tregon se tani njësitë familjare kanë mesatarisht 3.2 anëtarë.

Ndryshime ka pasur edhe në shpërndarjen e popullsisë nëpër qarqet e ndryshme të Shqipërisë. Pothuajse një e treta e banorëve jetojnë në qarkun e Tiranës, që është qarku i vetëm që ka pasur rritje të banorëve në krahasim me të dhënat e vitit 2011.

Pas publikimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë, opozita ka akuzuar se të dhënat janë të manipuluara.

Opozita shprehi këto pretendime pasi që publikimi i të dhënave ishte shtyrë për disa muaj dhe procesi i mbledhjes dhe publikimit të të dhënave, në krahasim me vendet e rajonit, kishte marrë më shumë kohë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.