
Radio Evropa e Lirë ka raportuar duke u thirrur në burime se dorëheqjet e kabinetit qeveritar – që ishin bërë shkak i mosvotimit të raportit për mandatin e deputetëve të martën – tashmë janë deponuar në sekretariatin e Kuvendit të Kosovës.
Përfaqësues të partive që deri më tani kanë qenë në opozitë kanë kërkuar vazhdimisht që për dorëheqjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar që janë zgjedhur deputetë të ndiqen procedurat formale.
Ndryshe, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se dorëheqjet janë përfshirë në procesverbal të raportit, me propozim të PDK’së.
“Kërkesa dhe rekomandimi i deputetit Përparim Gruda është miratuar ashtu që të evidentohet në proces verbal të raportit që të gjithë ministrat e bashkë me ta edhe kryeministri kanë dhënë dorëheqje individualisht…Dorëheqja është evidentuar saktësisht, individualisht në procesverbalin e takimit”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se do ta votojnë raportin e komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, teksa shtoi se janë të gatshëm edhe për zgjedhje.
Krasniqi tha se sot kanë ardhur në Kuvend që ta zhbllokojnë situatën e krijuar.
“Ky ndryshim na ka mundësuar që të votohet raporti”, shtoi Krasniqi.