Pas disa orë negociatash dhe pasi nuk pranoi t’i dorëzohej policisë, forcat RENEA kanë ekzekutuar 62-vjeçarin Ramiz Muçollari në Maliq.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se ka pasur herë pas here shkëmbime zjarri mes 62-vjeçarit dhe forcave RENEA. Ajo çka konfirmohet nga informacionet paraprake është se RENEA e vënë në pozitë të vështirë nga të shtënat me kallash nga autori, ka qëlluar drejt tij duke e lënë të vdekur në vend.
Grupi i ekspertëve është duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes ndërkohë që bashkëshortja dhe i biri ndodhen në spitalin e Korçës me plagë të marra në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Mbrëmjen e së premtes policia kishte shkuar në banesën e 62-vjeçarit pasi kishte marrë informacion se burri kishte plagosur me mjet prerës në këmbë bashkëshorten e tij, Pëllumbesha Muçollari 58 vjeçe dhe me mjet të fortë në kokë djalin e tij, Kamber Muçollari, 27 vjeç.
Këta të fundit janë transportuar në spital ndërsa 62-vjeçari i armatosur është mbyllur në banesë duke refuzuar të dorëzohet dhe duke qëlluar armë zjarri në drejtim të policisë.