
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel me të ftuar në studio: Faruk Statovci e Bekim Isufi, opinionist të përhershëm, Tahir Batatina (KF Llapi), Xhengiz Rexhepi (KF Liria), Granit Begolli (KF Feronikeli ‘74) dhe Kastriot Rexha (ish-futbollist).
Gjatë diskutimit për Ligën e Parë, trajneri i KF Lirisë, Xhengis Rexhepi ka folur për formën e skuadrës së tij në fund të kampionatit.
“Në stinorin pranveror kemi pasur super paraqitje, kemi ditur se duhet të bëjmë sa më pak gabime, kemi mposhtur dy herë Feronikelin, mirëpo e kemi pasur më rëndë pasi Feronikeli veçse ishte para nesh me pikë.”, tha Rexhepi.
Në vazhdim, ai foli edhe për gjasat e tyre për t’u promovuar në elitën e futbollit kosovar.
“Jam i gëzuar me paraqitjen e lojtarëve të mi, kanë dhënë maksimumin në gjitha ndeshjet, mirëpo ndeshjen e fundit presim gabimin e Feronikelit, ndërkohë që ne duhet të fitojmë ndeshjen ndaj Rilindjes në Pejë.”, vazhdoi trajneri shkupjan.
Në përfundim, ai foli edhe për ‘luftën’ e tyre me Feronikelin ’74.
“Kjo është bukuria e futbollit, gjithçka mund të ndodh deri në fund. Ose ne ose Feronikeli, cilado që inkuadrohet në Superligën e Kosovës mendoj se e ka merituar.”, përfundoi Rexhepi.