
Rezoluta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë ku dënohen referendumet ruse në Ukrainë do të shkojë në Asamblenë e OKB-së, raporton Gazeta10.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greendfield, ka thënë se ky dokument do të dërgohet në Asamblenë e Përgjithshme.
Rusia të njejtin dokument e ka bllokuar me veton e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ambasadorja amerikane ka thënë se ky hap tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria janë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Më tej, ambasadorja ka thënë se kjo është detyrë e tyre dhe se ata angazhohen për promovimin e paqes dhe sigurisë.
“Një hap i tillë kërkon të tregojë se bota është ende në anën e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Shtetet e Bashkuara e propozuan rezolutën së bashku me Shqipërinë, për të dënuar të ashtuquajturat referendume të mbajtura në territorin ukrainas. Rezoluta është e drejtpërdrejtë. Ajo i dënon këto votime të paligjshme dhe u bën thirrje të gjithë vendeve të mos njohin asnjë ndryshim të shtetit të Ukrainës, ndërsa kërkon të tërheqë menjëherë trupat e saj prej andej. Se kjo është detyra jonë, mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial, promovimi i paqes dhe sigurisë”, tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA-së në OKB. / Gazeta10