Basketbollisti amerikan, Rodney Purvis, është shpallur “MVP” i javës së pestë në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll, raporton Gazeta10.
Purvis ishte lojtar kyç i Pejës në kryendeshjen e javës ndaj Trepçës, ku ‘verdhezinjët’ triumfuan me rezultat 83-72.
28-vjeçari ndaj ish-skuadrës së tij Trepçës arriti të realizoj 23 pikë, katër kërcime dhe tre asistime.
Kjo është hera e dytë rresht të amerikani shpallet “MVP” i javës, pasi një gjë të tillë e kishte arritur edhe në javën e kaluar.
Ndërkohë Federata e Basketbollit të Kosovës ka publikuar edhe formacionin e javës në elitën e basketbollit kosovar.
Top 5-shja e kësaj jave përbëhet nga dyshja e Pejës, Rodney Purvis dhe Brad Waldow, Dancho Burke i Ponte Prizrenit, Derrick Wilson i Prishtinës dhe Valon Bunjaku i Golden Eagle Yllit.
Në xhiron e pestë të Superligës së Kosovës në basketboll, Peja fitoi derbin ndaj Trepçës, Golden Eagle Ylli mori fitoren e parë këtë edicion ndaj Vëllaznimit, Prishtina mposhti në shtëpi Bashkimin dhe Ponte Prizreni triumfoi në udhëtim kundër Rahovecit. /Gazeta10/