Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Rreth 20 mijë të vdekur nga tërmetet në Turqi e Siri

Gazeta10
09 February 2023 - 19:35

Raporti: Kanal10

Rreth 20 mijë është numri i personave që kanë mbetur të vdekur në Turqi e Siri pas tërmetit që goditi këto dy shtete, tre ditë më parë. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë njerëzit nën rrënoja, megjithëse sipas ekspertëve vetëm 72 orët e para janë vendimtare për shpëtim. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka bërë të ditur se shtetasit e Kosovës, me të cilët janë në kontakt dhe që ndodheshin në jug të Turqisë, tashmë janë të sigurt nga tërmetet.

Ka shkuar në rreth 20 mijë numri i viktimave si pasojë e tërmeteve të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri.

Derisa, në ditën e tretë pas këtij tërmeti shkatërrues po vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë të mbijetuarit nga gërmadhat e ndërtesave të rrënuara.

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive në Turqi, më shumë se 16.170 njerëz kanë humbur jetën, ndërsa 60.000 janë plagosur.

E në Siri janë regjistruar më shumë se 3.200 viktima.

Gjatë natës, ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkojnë për të mbijetuar mes rrënojave të strukturave të shembura, por shpresat për të gjetur më shumë njerëz të gjallë shkojnë duke u zvogëluar pasi kanë kaluar më shumë se tri ditë që nga tërmetet.

Edhe ekspertët thanë se koha po mbaron për të mbijetuarit e bllokuar nën rrënojat e tërmeteve në Turqi dhe Siri, meqë përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë vendimtare në 72 orët e para.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka bërë të ditur se shtetasit e Kosovës, me të cilët janë në kontakt dhe që ndodheshin në jug të Turqisë, tashmë janë të sigurt.

Ministria, gjithashtu, bën të ditur se nuk ka studentë nga Kosova që studiojnë në zonën e prekur nga tërmeti.

Ambasada e Kosovës në Ankara thotë se një familje nga Kosova gjendet në Gaziantep, epiqendër e tërmetit, dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Familja është evakuuar në një sallë sportive për shkak të dëmeve në shtëpinë ku banonin. Ata kanë blerë bileta të autobusit për t’u kthyer në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Një delegacion i Federatës së Mundjes së Kosovës që ishte në Kahramanmarash ka shpëtuar pa pasoja dhe është larguar nga zona e prekur nga tërmeti. Po ashtu, një qytetare e Kosovës me shtetësi gjermane, që ndodhej në Kahramanmarash gjatë tërmetit, ka kontaktuar ambasadën dhe është kthyer në Gjermani.

Të martën, më 7 shkurt, një nënë me vajzën e saj 4-vjeçare kanë kontaktuar numrat emergjentë të ambasadës për të kërkuar ndihmë për t’u kthyer në Kosovë, por kanë njoftuar se kanë humbur dokumentet e udhëtimit.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll, mbesin në komunikim me shtetasen në fjalë, për të parë opsionet e udhëtimit të saj për Stamboll dhe më pastaj për në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, për të shpëtuar njerëz po angazhohen edh pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë arritur që gjatë së mërkurës të nxjerrin të gjalla nga rrënojat një vajzë dyvjeçare dhe nënën e saj.

https://youtu.be/glkcSaWHBLQ

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.